08:50 / E Martë, 02 Shkurt 2021 / OSH

Vlora Çitaku, Bashkimit Evropian: Hipokrizia ka emër

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar pas deklaratës së Bashkimit Evropian lidhur me vendosjen e  marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit si dhe paralajmërimit për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

Çitaku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se do të ishte që Brukseli para se të japë leksione për Ambasadën në Jerusalem, të deklarohet pak për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE.

Lexoni të plotë postimet e saj:

“Hipokrizia ka emër.

Kosova nuk ka Ambasadë në Madrid, Bratislavë, Athinë, Bukuresht, Nikozia.

Qe besa, Kosova nuk ka Ambasadë as pranë BE. Kish qenë mirë Brukseli, para se të na japë leksione për Ambasadën në Jerusalem, të deklarohet pak për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE.

Pastaj, a nuk është BE ‘neutrale’ karshi statusit të Kosovës a?! Nejse…Për viza nuk po foli ma mirë.

Çitaku, sërish ka shkruar, duke dhënë edhe një shembull tjetër.

”Ja edhe një shembull.

Serbia, ndonëse vend kandidat për anëtarësim në BE, rrallë, për mos me thanë kurrë, i përafron vendimet e politikës së jashtme me BE.

Prej raporteve me Rusinë e Kinën e shit-blerjet e armëve, deri tek votimet skandaloze në OKB dhe shkelja e sanksioneve ndërkombëtare, vendimet e Serbisë dhe politika e saj e jashtme janë kryesisht, nëse jo ekskluzivisht, në kundërshtim me vendimet e BE.

Asnjëherë Brukseli nuk ka ia ka tërhjekur vërejtjen Serbisë. Së paku jo publikisht. Përjashtim bënë këtu hapja e ambasadës në Jerusalem, ku BE ka qortuar publikisht edhe Serbinë edhe Kosovën”.