Von Cramon i bën presion BE-së: Qytetarëve të Kosovës t’u jepet liberalizimi i vonuar!

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i ka bërë thirrje BE-së për liberalizim të vizave.
Sipas saj, BE nuk mund të arrijë besueshmërinë globale nëse nuk e përfshin në vete edhe Ballkanin Perëndimor.
“Nëse BE dëshiron të jetë e besueshme globalisht, ajo duhet të fillojë të fillojë së pari në Ballkanin Perëndimor. Për të rikthyer besueshmërinë tonë, duhet menjëherë të jepet liberalizimi i vonuar i vizave për qytetarët e Kosovës. Koha është tani dhe Këshilli i BE-së nuk duhet t’a zgjasë më shumë!” ka shkruar von Cramon në Twitter.
Reagimi i saj ven pasi kryeministri i Republikës, Albin Kurti, kujtoi se janë bërë 4 vite që kur Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, por që vazhdon të jetë akoma e izoluar nga zona Shengen.
“Sot mbushen 4 vjet që kur Komisioni i BE-së konfirmoi për herë të dytë se Kosova i përmbush të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ne jemi vendi më demokratik dhe pro-BE në Ballkanin Perëndimor, por më i izoluari. Shpresat e qytetarëve tanë duhet të përmbushen me vendosmërinë dhe solidaritetin e BE-së” shkroi Kurti më herët.