Von Cramon: Kosova shembull i demokracisë për rajon

Procesi i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, ndër të tjerash, është përcjellur edhe nga BE.
Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel, në një konferencë për shtyp, së bashku me shefin e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE, Lukas Mandl, kanë bërë të ditur se procesi zgjedhor, nga mbikëqyrësit evropian, në përgjithësi është vlerësuar të ketë kaluar në mënyrë efikase, pa incidente, ndonëse fushatat zgjedhore kanë qenë konkurruese.
Von Cramon-Taubadel ka shtuar se në këto zgjedhje është dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë.
“Ekipet tona janë vendosur në rajonin e Prishtinës, të Prizrenit dhe në disa komuna të veriut të Kosovës. Fushata zgjedhore ka qenë konkurruese dhe pa incidente madhore… Këto zgjedhje kanë dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë”, ka thënë ajo.
Udhëheqësja e delegacionit të PE-së gjithashtu ka shtuar se mangësitë sistematike, megjithatë, nuk janë evidentuar akoma në Kosovë.
“Sot, Kosova më shumë se kurrë është shembull i demokracisë për rajonin. Por, është për fat të keq që disa mangësi sistematike nuk janë evituar ende. Një nga to është ngushtimi i hapësirës politike për serbët. Lista Serbe ka dominuar dhe nuk u ka lënë hapësirë partive tjera serbe. Shumica e bashkëbiseduesve kanë thënë se kuadri ligjor duhet të ndryshohet për përmirësimin e financimit të fushatave nga niveli lokal, gjë që ulë korrupsionin. Ende ka hapësirë për përmirësim për barazinë gjinore”, ka shtuar von Cramon-Taubadel.
E njëjta është pyetur mbi liberalizimin e vizave, teksa ka thënë se është duke u punuar shumë në atë drejtim dhe se pjekuria e treguar gjatë procesit zgjedhor do të vlerësohet nga Brukseli.