12:31 / E Mërkurë, 15 Qershor 2022 / B O

Von Cramon kritikon qeverinë që Sunny Hill s’do të mbahet në Prishtinë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pasi që festivali Sunny Hill është zhvendosur nga Prishtina për në Tiranë.

Ajo tha se ndjehet keq me faktin që Sunny Hill nuk do të mbahet këtë verë në Prishtinë, teksa fajet për këtë ia la Qeverisë së Kosovë.

“Është një gabim strategjik pasi sjell njerëzit në Kosovë dhe promovon rininë e saj. Qeveria e Kosovës është dashur që të sigurohet që Suny Hill 2022 të mbahet në Prishtinë dhe shpresojë që të kthehet këtu”, ka shkruar Cramon.

Kujtojmë se dje, babai i këngëtares Dua Lipa, Dukagjin Lipa, ka bërë të ditur se festivali Sunny Hill është zhvendosur nga Prishtina për në Tiranë.

Ky ndërrim, sipas Lipës, vjen pasi ka pasur vonesa të shumta administrative sa i përket lokacionit gjë që tha se ka shkaktuar vonesa edhe në organizimin e festivalit në datat e caktuara.