Von der Leyen: BE duhet të jetë gati të mbrohet edhe e vetme

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Evropa po jeton në një periudhë të rrezikshme dhe se Bashkimi Europian duhet të forcojë kapacitetet e veta mbrojtëse.
Në një intervistë për Aleancën Evropiane të Gazetave, ajo theksoi se edhe pse NATO mbetet shtylla kryesore e sigurisë kolektive, BE duhet të bëhet më e pavarur.
“Europa duhet të jetë më e vetë-mjaftueshme dhe e pavarur për sa i përket sigurisë. NATO është shtylla kurrizore e mbrojtjes sonë, por ne kemi nevojë edhe për një shtyllë europiane shumë më të fortë,” u shpreh Von der Leyen.
Ajo përmendi programin “Gatishmëria për 2030” dhe investimet në industrinë e mbrojtjes si hapa konkretë, duke paralajmëruar për kërcënimet nga sulmet hibride dhe ndërhyrjet ruse në sistemet GPS në rajonin e Detit të Zi dhe Baltikut.
Në fushën energjetike, Von der Leyen theksoi se BE ka reduktuar varësinë nga Rusia duke rritur investimet në burime të rinovueshme. Megjithatë, ajo shtoi se blloku nuk synon shkëputje nga tregjet globale, duke e cilësuar SHBA-në një partner të besueshëm.