75 Mall Live Search
13:29 / E Mërkurë, 26 Nëntor 2025 / MSH

Von der Leyen thotë se Moska nuk ka qëllim të vërtetë për t’u angazhuar në bisedime paqeje

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka përshkruar situatën rreth luftës në Ukrainë si “të paqëndrueshme” dhe “të rrezikshme”, dhe e ka akuzuar Rusinë se nuk ka “qëllim të vërtetë” për t’u angazhuar në bisedime paqeje.

Komentet e saj erdhën pak para se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të thoshte se ishte “e parakohshme” të flitej për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

Von der Leyen tha se Ukrainës do t’i duheshin garanci të forta sigurie, të afta për të penguar çdo sulm të mëtejshëm, duke argumentuar se Rusia ende mbante një mentalitet pas Luftës së Dytë Botërore dhe e shihte kontinentin evropian si një “sferë ndikimi”.

Ajo po i drejtohej Parlamentit Europian në Strasburg, ndërsa SHBA-të shtuan përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Kievit dhe Moskës.

Bisedimet në Gjenevë dhe më pas në Abu Dhabi kanë rezultuar në rënien dakord të Ukrainës për “thelbin” e një marrëveshjeje paqeje, pasi u bënë ndryshime në një plan fillestar prej 28 pikash.

Në fjalimin e saj para ligjvënësve të Bashkimit Evropian, von der Leyen tha: “Dua të jem e qartë që në fillim: Evropa do të qëndrojë me Ukrainën dhe do ta mbështesë atë në çdo hap të rrugës.”

Ajo iu referua gjithashtu çështjes së aseteve të ngrira ruse me vlerë 210 miliardë euro, të mbajtura në institucionet financiare evropiane.