Zvarritejet në zgjerimin e rrugës, në Veternik, shkaktojnë kolona

Punimet për zgjerimin e rrugës që kanë nisur në korrik të vitit të kaluar tek ura në Veternik në Prishtinë, po shkaktojnë kolona të gjata në kryeqytet.
Edhe pse ishte premtuar nga Ministria e Infrastrukturës që në muajin dhjetor këto punime do të përfundojnë, ky projekt ende nuk është realizuar.
Menaxheri i këtij projekti, Isa Berisha, zvarritejen e arsyeton më uljen e temperaturave.
Kolona të gjata dhe tollovi në qytet kanë shkaktuar punimet në rrugën tek ura në Veternik. Menaxheri i projekti në Departamentin për menaxhimin e rrugëve nga Ministria e Infrastrukturës, Isa Berisha, tha për Radio Kosovën se kompania kontraktuese do t’i përfundojë punimet e parapara brenda 60 ditëve pasi që të përfundojë sezoni dimëror.
“Bazuar në planin dinamik dhe ecurinë e punimeve dhe përfundimin e periudhës së dimrit, besoj se kompania së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i përfundojë punimet në afatin e paraparë, që janë edhe 60 ditë parapara të planifikimit nga pjesa kur përfundon sezoni dimëror”, tha Berisha.
Komandanti i Policisë së Trafikut Rrugor në Prishtinë, Milaim Fejzullahu, i tha Radio Kosovës se është fakt që punimet në rrugë po shkaktojnë kolona, por policia po qëndron aty për qarkullim normal të trafikut si edhe në parandalim të aksidenteve. /rtk/
“Ne si polici jemi akorduar që në kohën kulmore, prej orës 7-9 në mëngjes si dhe në mbrëmje prej orës 15-17, të jemi prezentë në këtë zonë, për shkak se janë duke u zhvilluar punimet ne këtë vend punishte dhe është e nevojshme që ne si polici te jemi aty në parandalim të aksidenteve por edhe në qarkullim normal të trafikut”, tha Fejzullahu.
Projekti i rrethrrotullimit të ri në Veternik do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 2.5 milionë euro dhe punimet ishin paraparë të përfundonin në një afat kohor prej rreth 6 muajsh.