17:43 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Vota kundër SHBA-së në OKB: Distancohet Presidenti, nuk pasqyron qëndrimin e shtetit tonë

Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se shefi i shtetit shqiptar nuk është konsultuar fare për votën e djeshme të Shqipërisë kundër SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar”, ka deklaruar ai.

Presidenti vlerëson se “ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”.

Presidenti thekson se nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri me i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla që duhet të jenë të mirë koordinuara.

Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës.