75 Mall Live Search
13:17 / E Martë, 09 Dhjetor 2025 / P M

Votim veç në objekte shtetërore, pas vendimit të Supremes, KQZ: Do të ndërmarrim veprimet e nevojshme për zbatimin e tij

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme dhe të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me hapësirat shtesë për votim jashtë përfaqësive diplomatike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në pyetjen se çfarë do të bëjë ky institucion pas vendimit të Gjykatës Supreme që ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së për organizimin e votimit jashtë përfaqësive diplomatike, më konkretisht në 10 qendra votimi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, përmes të cilit konfirmohet vendimi i PZAP-it për çështjen e 10 qendrave të votimit të planifikuara nga KQZ-ja që të hapen në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike sipas propozimit të MPJD-së. KQZ-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtyre vendimeve”, tha Elezi.

Më 26 nëntor 2025, KQZ-ja kishte marrë vendim për miratimin e 50 qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete për të mundësuar votimin e 63 mijë votuesve dhe 10 qendra të votimit në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit të MPJD-së. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 qendra të votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistroheshin për të votuar 41 mijë.