Voton Shaqir Totaj: Besoj se qytetarët do ta bëjnë zgjedhjen e mirë dhe atë që i duhet Prizrenit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se pret që balotazhi i zgjedhjeve për kryetar të Komunës të zhvillohet në mënyrë të qetë, demokratike dhe me respekt të plotë për vullnetin e qytetarëve.
“E para, dhe më e rëndësishmja, është që procesi zgjedhor të shkojë mirë, pa incidente dhe pa probleme. Fushata ka qenë e qetë, e rregullt, dhe ne kemi treguar si qytet dhe si shtet se dimë të organizojmë zgjedhje të ndershme,” u shpreh Totaj.
Ai tha se e sheh këtë balotazh si një mundësi për të konfirmuar drejtimin zhvillimor që ka marrë Prizreni në këto vite. Totaj theksoi se pavarësisht garës politike, vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe duhet respektuar nga të gjithë.
“Uroj që të gjithë qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike me qetësi, me vetëdije dhe me dashuri për Prizrenin tonë,” përfundoi Kryetari Totaj.

