Vrajolli: Armatosja e Serbisë kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, roli i KFOR-it vendimtar për sigurinë

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, tha se armatosja e Serbisë duhet parë si një kërcënim serioz për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it për sigurinë e Kosovës.
Në intervistë për EO, Vrajolli tha se Serbia e arsyeton armatosjen si shtet neutral, por në realitet qëllimi kryesor është ndikimi ndaj Kosovës, vend i cili ende nuk ka përparuar në integrimet euroatlantike.
“Serbia në njëfarë forme e arsyeton këtë armatosje nga fakti që si shtet neutral dhe zakonisht shtetet neutrale synojnë që t’i kenë të gjitha kapacitetet e tyre, për shkak se në doktrinën e tyre nuk presin mbështetje apo solidaritet të ndërsjellë, gjë që është ndryshe në shtetet e NATO-s, për shkak se shtetet e NATO-s, kryesisht janë të ndërtuara për të shpalosur sinergjitë e tyre dhe mbështetjen në njëra-tjetrën. Megjithatë, jo domosdo qëllimi i Serbisë është të qenit neutral, sidomos në raport me Kosovën për faktin që nuk e njeh Kosovën. Atëherë ne duhet ta kemi parasysh që armatosja e Serbisë është një kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, sidomos për faktin që Kosovës ende nuk i është hapur dera për të pasur progres në integrimet euroatlantike. Atëherë ne duhet të kemi parasysh që kjo përbën kërcënim serioz ndaj nesh”, tha Vrajolli.
Ai shpreh pikëpamjen se disa nga armatimet mund të jenë të orientuara edhe për konsum të brendshëm dhe qëndrimin e pushtetit ndaj protestave qytetare, duke vlerësuar se politika e brendshme e Serbisë mund të ndikojë në këtë forcim të kapaciteteve.
“Por, në anën tjetër mbase këto armatosje janë edhe për konsumin e brendshëm, por edhe për politikat e brendshme. Duket qartë që presioni ndaj qeverisë së Serbisë është duke u rritur dhe mbase një ndër logjikat që mund të kenë ndikuar në këtë është se duke forcuar institucionet e sigurisë ndryshimi demokratik mund të mos implementohet kurrë. Po duket qartazi që pushteti është duke i rezistuar atyre protestave masive dhe nuk janë duke dashur që të dorëzohen ndaj këtyre zhvillimeve, andaj mendoj që pjesërisht ky armatim mund të jetë edhe kundër vetë qytetarëve të Serbisë”.
Vrajolli paralajmëroi rrezikun nga grupet terroriste në rajon, duke përmendur sulmin në Banjskë, ku disa pjesëmarrës ende ndodhen të lirë në territorin e Serbisë dhe mund të rikthehen për veprime në Kosovë, madje edhe me përforcime nga individë me bindje ultranacionaliste.
“Rreziku është jashtëzakonisht i madh, kjo u pa me sulmin terrorist në Banjskë. Ata që kanë qenë pjesë e sulmit në Banjskë edhe më tutje ndodhen të lirë në territorin serb me të gjitha mundësitë që ata të riorganizohen për t’u futur në territorin e Kosovës, mbase edhe me përforcime nëpërmjet mobilizimit të individëve me bindje ultranacionaliste që mund t’u bashkëngjiten këtyre personave. Kështu që rreziku mbase mund të jetë edhe më i madh sesa ka qenë me sulmin terrorist në Banjskë. Megjithatë, ajo çka presim ne si shoqëri është që në Kosovë ekziston një mision ushtarak i NATO-s, që është prezent në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, me mision konkret, i cili është pengimi i çfarëdo strukture të armatosur që të futet nga Serbia në territorin e Kosovës”, tha ai.
Vrajolli vuri në dukje rëndësinë e performancës së KFOR-it dhe shprehu shqetësime për kontigjente të caktuara në pjesën veriore, të cilat, sipas tij, mund të mos jenë plotësisht të koordinuara me komandën e NATO-s.
Ai vlerësoi se institucionet e Kosovës duhet të jenë aktive për të monitoruar situatën dhe për të siguruar praninë e forcave në vendet kyçe.
“Andaj, siguria e Kosovës në përgjithësi varet jashtëzakonisht shumë nga performanca e KFOR-it në Kosovë, mbase dështimi i KFOR-it është një kërcënim i hapur për sigurinë në vend dhe dështimi i KFOR-it nuk do të mund të ndodhë për shkak të neglizhencës, për shkak se mendoj që tashmë KFOR-i është jashtëzakonisht i informuar për rreziqet që situata përmban aty. Frika që mund të jetë në këtë rast është që ndonjëri nga kontigjentet e KFOR-it në pjesën veriore të mos jetë lojal ndaj komandës së përbashkët të NATO-s, për faktin që në NATO janë shpërfaqur ndasi nga disa shtete anëtare të NATO-s, sidomos në rastin e Hungarisë apo edhe të Sllovakisë. Mbase frika që këto shtete të mos e kryejnë detyrën e duhur me ndonjë tendencë të caktuar nuk duhet të përjashtohet. Mendoj që institucionet e Kosovës duhet të jenë jashtëzakonisht aktive që t’i bëjnë presion KFOR-it që këto kontigjente të mos jenë në pjesën veriore apo të paktën që të kenë një sy shtesë drejt këtyre kontingjenteve, për shkak se siguria është diçka që është vështirë të besohet se këto shtete nuk bëjnë ndonjë akt. Assesi ne si shoqëri sigurinë tonë të mos ia lëmë fatit”, tha ai.
Vrajolli përmendi gjithashtu gjendjen e institucioneve vendore të sigurisë, duke thënë se Policia dhe Forca e Sigurisë së Kosovës po operojnë normalisht, megjithëse sundimi i ligjit duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet shtetërore.
Ai vlerësoi se situata në pjesën veriore të Kosovës është përmirësuar dukshëm, ku organet legjitime tani operojnë pa u kërcënuar nga grupet kriminale që dikur vepronin aty.
“Në aspektin e institucioneve të sigurisë, mendoj që janë duke funksionuar, përkundër faktit që kemi krizë. Policia edhe FSK-ja të dyjat janë duke operuar. Ajo çka është problematike është se sundimi i ligjit nuk implementohet vetëm nga ana e institucioneve të sundimit të ligjit. Sundimi i ligjit është detyrë e gjithë institucioneve. Mbase duhet ta kemi parasysh faktin që Policia përdoret vetëm për çështje emergjente, por pasi të kalohet ajo gjendje emergjente, përpjekjet duhet të jenë të institucioneve të tjera, t’i ofrojnë shërbimet e tyre. Në pjesën veriore ka një ndryshim të gjendjes në terren. Mendoj që gjendja e sigurisë atje është jashtëzakonisht më e mirë sesa që ka qenë më parë, përkundër faktit që mbase qytetarët atje janë më të pakënaqur me gjendjen aktuale tash. Por kjo mund të jetë edhe si rezultat që ndryshimet kanë qenë jashtëzakonisht të shpejta. Komunikimi i qeverisë që këta qytetarë të informohen që këto ndryshime janë për të mirën e tyre dhe këto dy sfida janë duke u përplasur me njëra-tjetrën. Ajo çka ne duhet të bëjmë është që të krijojmë institucione sa më parë dhe të fillojmë që të dërgojmë mesazhet e duhura tek komuniteti që qeveria e Kosovës është e gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjendja në pjesën veriore të Kosovës është përmirësuar dukshëm, për shkak se tashmë ka organe të sundimit të ligjit, organe legjitime, të cilat kanë llogaridhënie dhe zyrat e tyre nuk do të goditen me bomba apo të digjen për shkak se ata nuk i bindën një grupi bande që ka operuar në pjesën veriore”, tha për EO, Vrajolli.