19:40 / E Enjte, 11 Janar 2024 / L K

Vranovci: E përkrahim iniciativën e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik për lirim nga taksa komunale për bizneset e Komunës së Gjilanit për vitin 2023

Këshilli i Bizneseve nga Rajoni i Gjilanit (GRBC) përmes një letre, ka shprehur dëshirën dhe vullnetin për përkrahjen e plotë të iniciativës lidhur me lirimin nga ngarkesa e taksës komunale për të gjitha bizneser që ushtrojnë veprimtaritë e tyre afariste në Komunën e Gjilanit, për vitin 2023.

Avokati, Arsim Vranovci President i Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit ka thënë për Agjencinë e Lajmeve “Gjilani Info” se i jep përkrahje të plotë iniciativës së Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik (DZHE) të Komunës së Gjilanit për lirim nga ngarkesa e taksës komunale për të gjitha bizneset që ushtrojnë veprimtaritë e tyre afariste në Komunën e Gjilanit për vitin 2023.

“Lirimi nga ngarkesa me taksën komunale do të ndihmojë në lehtësimin e barrës fiskale për bizneset tona dhe do të kontribuojë në përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të tyre”, ka thënë avokati Vranovci, duke shprehur besimin se një hap si ky, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e investimeve. Pastaj në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe do të ndihmojë në ndërtimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat në Gjilan.

Vranovci ka thënë se Këshill i Bizneseve të Rajonit të Gjilanit është i gatshëm të ofrojë kontributin si dhe të bashkëpunojë për çfarëdo çështje.

Sipas tij, një bashkëpunim i ngushtë mes bizneseve dhe autoriteteve lokale është thelbësor për të arritur qëllimet e përbashkëta për zhvillimin e Rajonit të Gjilanit.