Vrasja e 13 turqve/ Pas akuzave të Erdoganit, reagon SHBA-ja

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, e siguroi të hënën Ankaranë se Uashingtoni fajëson Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) për ekzekutimin e 13 turqve të rrëmbyer në Irakun e veriut.
Komentet erdhën pasi Turqia e quajti një deklaratë të mëparshme të SHBA-së për vrasjet “një shaka”.
Turqia tha të dielën se militantët e PKK-së ekzekutuan robërit, duke përfshirë personelin ushtarak dhe atë policor turk, gjatë një operacioni ushtarak kundër këtij grup.
Shtetet e Bashkuara thanë të dielën në mbrëmje se qëndronin në krah të Turqisë, gjithashtu anëtare e NATO-s dhe se i dënonin vrasjet nëse konfirmohej se përgjegjësia binte mbi PKK-së.
Turqia, tashmë e irrituar nga partneriteti i Uashingtonit me luftëtarët kurdë në Sirinë fqinje, u zemërua nga kushtëzimi i deklaratës dhe thirri të hënën ambasadorin e SHBA-së, në Ankara.
Në një telefonatë me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, të hënën, sekretari Blinken “ripohoi pikëpamjen e SHBA-së se terroristët e PKK-së mbajnë përgjegjësi”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Ai nuk tha nëse telefonata u bë si përgjigje e thirrjes nga Turqia të ambasadorit amerikan, në Ankara. Një telefonatë midis dy diplomatëve të lartë të të dyja vendeve ishte parashikuar prej javësh.
Kjo ishte e para telefonatë midis Blinkenit dhe homologut të tij turk, gati katër javë pasi presidenti Joe Biden mori detyrën. Presidenti Biden nuk ka folur ende me Erdoganin, vonesë që është interpretuar nga disa si mospërfillje ndaj një aleati të rëndësishëm.
Më herët të hënën presidenti turk kritikoi Uashingtonin, i cili e ka shpallur PKK-në organizatë terroriste, por ka stacionuar forcat e SHBA-së krahas me luftëtarët kurdë të grupit YPG në Siri. Ankaraja e konsideron YPG-në si organizatë e lidhur pazgjidhshmërisht me PKK-në.
Që nga zgjedhja e zotit Biden vitin e kaluar, Turqia ka thënë vazhdimisht se dëshiron të përmirësojë lidhjet e tensionuara me Shtetet e Bashkuara, por mbështetja e Uashingtonit për YPG-në mbetet një pikë e rëndësishme mosmarrëveshjesh.
Erdogani tha se Ankaraja do të vazhdojë operacionet e saj ndërkufitare në Irak kundër PKK-së.
“Nëse jemi së bashku me ju në NATO, nëse do ta vazhdojmë unitetin tonë, atëherë ju duhet të veproni sinqerisht ndaj nesh. Ju duhet të qëndroni me ne, jo me terroristët”, tha Erdogani.
Ai tha se askush nuk mund të kritikojë operacionet ndërkufitare të Turqisë në Siri ose Irak pas vrasjeve të fundit dhe se vendet e ndryshme duhet të zgjedhin midis Turqisë dhe militantëve. /VOA