75 Mall Live Search
16:26 / E Hënë, 08 Shtator 2025 / b l

Vrasja e argjentinases në Fushë Kosovë, eksperti: Viktima s’ka mundur ta nxjerrë vetë dritaren me kornizë

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit Nika po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë, u dëgjua eksperti i inxhinierisë mekanike prof. Naser Lajqi, i cili tha se grupi i ekspertëve testoi dritaren në vendin e ngjarjes dhe del se 84.09 kilogramë forcë e ushtruar në dritare rezultoi me një zhvendosje të vogël të dritares prej rreth tre milimetra në pjesën e poshtme.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri njoftoi për ndërrimin e anëtares së trupit gjykues Medie Bytyqi me gjyqtarin Gëzim Ademi. Tha se gjyqtarja Bytyqi që nga 1 shtatori 2025 është avancuar në Departamentin Special, kështu gjykimi filloi rishtazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Eksperti Lajqi dha sqarime lidhur me ekspertizën e punuar nga grupi i ekspertëve të inxhinierisë mekanike.

Në elaborimin e ekspertizës, Lajqi theksoi se fillimisht xhami ishte thyer si pasojë e goditjes së dritares kur kishte rënë në tokë, siç u shpreh ai, thyerja e xhamit nuk ka ndodhur në dhomën 403 të hotelit, por kur ka rënë në tokë.

Ndërsa, për pajisjet që ishin përdorur për ta matur këtë forcë, eksperti Lajqi theksoi se të gjitha janë të paraqitura përmes fotografive në ekspertizën e punuar nga ky grup i ekspertëve. Po ashtu, tha se në janar të 2025-ës në vendin e ngjarjes kishin dalë tre herë.

“Më datën 15 kemi bërë matjen e forcës horizontale për shtytje të dritares më qëllim që të shohim se me forcë deri në 820Nj (Njutona) apo 84.09kg (kilogramë) forcë shtytëse. Ka rezultuar me një zhvendosje të vogël prej rreth 3 milimetra në pjesën e poshtme, por me këtë forcë dritarja statike nuk është larguar prej grepave, respektivisht konstruksionit mbajtës të saj”, tha eksperti Lajqi.

Ndërsa, i pyetur nga prokurori Armend Hamiti lidhur me atë nëse dritarja mund të nxirrej nga një person që është duke fjet dhe bie nga shtrati me atë forcë apo nevojitet forcë shtytëse për ta zhvendos dritaren, eksperti tha se opsioni nga shtrati nuk mund të ndodhte dhe se dy persona me peshë 120 kilogramë (testimi i ekspertëve) kishin ushtruar forcë horizontale 84.09 kg.

“Paraprakisht, gjatë testimeve të bëra përmes forcës së këmbës dhe ndihmës së ekspertit me dorë që e ka shtytë, nuk kemi mujt me realizu forcë më të madhe se 84.09 kg dhe atë me këmbë nuk kanë arrit të nxjerrim dritaren nga grepat e saj, por ka pasur një zhvendosje të vogël në pjesën e poshtme prej rreth 3 milimetra. Sa i përket pyetjes prej shtratit, përgjigja është jo”, tha Lajqi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nika, avokati Drilon Imeri e pyeti ekspertin nëse kishte qenë e nevojshme që përgjatë dyshemesë ku ishin vendosur xhamat statik të kishte rrethojë mbrojtëse.

“Nga aspekti i mbrojtjes dhe sigurisë në punë, si ekspert i saj, askund nuk kam gjet që vendoset ndonjë mbrojtëse jashtë ose brenda për ta penguar kontaktin me xhamin, sepse prodhuesi që e dizajnon këtë e ka për obligim me i dizajnu dhe prodhu sikur ne që i kemi matë forcat”, u përgjigj eksperti.

Eksperti Lajqi më tutje dha sqarime në raport me pozicionin prej nga kishte rënë viktima dhe pozicioni përfundimtar i saj në platon e betonit, që siç e përshkroi ai, kishte një forcë shtytëse.

“Nga ana tjetër, është evidentuar se pozicioni përfundimtar i saj nga muri i dritares ka qenë rreth 3 metra, ndërsa lartësia prej ku ka rënë 16.23 metra, lë me kuptu se ka pas një forcë shtytëse edhe horizontale edhe vertikale sepse kemi hudhje të pjerrtë”, tha eksperti Lajqi.

Në anën tjetër, i akuzuari Nika e pyeti ekspertin se a kishin qenë të vendosur si duhej xhamat statik, e që Lajqi konfirmoi se montuesi u ishte përgjigjur vizatimeve të prodhuesit.

“Bazuar në vizatimet e prodhuesit, montuesi ju ka përmbajtur vizatimit të prodhuesit, sa i përket masave shtesë, nga ana e prodhuesit nuk janë paraparë masa të tjera shtesë”, tha Lajqi.

Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri, duke u bazuar në shkresat e lëndës pyeti konkretisht ekspertin nëse tani e ndjera ka pasur mundësi vetë ta nxjerrë atë dritare, ndërsa eksperti e mohoi një gjë të tillë.

“Për mua është jo”, tha eksperti.

Sipas planifikimit të kësaj gjykate, në radhë për tu dëgjuar në cilësinë e ekspertit ishte eksperti mjeko-ligjor Arsim Gërxhaliu, mirëpo gjyqtari njoftoi se nga ai ishin njoftuar se gjendet jashtë vendit.

Avokati Imeri i cili kishte propozuar dëgjimin e Gërxhaliut, u tërhoq nga ky propozim.  Mirëpo, trupi gjykues vlerësoi me interes dëgjimin e tij, andaj sipas detyrës zyrtare gjykata do ta ftojë ekspertin për dëshmi.

Pasi që seanca e radhës ishte caktuar për nesër, në pamundësi të pranisë se ekspertit Gërxhaliu, gjyqtari Bahtiri njoftoi se ajo seancë anulohet, ndërkaq të radhës e caktoi për në tetor.

Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.