Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, apeli lë në burg Gjon Shkambin
Nuk ka ndryshim të masës së sigurisë për Gjon Shkambin, i arrestuar bashkëpunëtor i nipit të tij Elvis Shkambi, i cili vrau gjyqtarin Astrit Kalaja.
Trupa gjykuese në Gjykatën e Apelit ka vendosur të rrëzojë kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë, duke e lënë atë në burg.
Po ashtu në masën e arrestit me burg do të vijojë të qëndrojë edhe Banush Koxhaj, rojë i sigurisë në Gjykatën e Apelit ditën e krimit.
Gjyqtari Kalaja u ekzekutua me armë mesditën e 6 tetorit në sallën e gjyqit. Ai u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari, Elvis Shkambi, pasi shpalli një vendim gjyqësor për një çështje pronësie ku ishin të përfshirë familjarët e autorit.
Krahas gjyqtarit, Shkambi qëlloi edhe ndaj Rakip dhe Elvis Kurtaj, babë e bir, të cilët ishin palë në këtë proces gjyqësor./Indeksonline/

