Vrasja e gruas nga Dragashi, kërkohet nga kryeprokurori i shtetit që të iniciojë procedura disiplinore

“Edhe Saime Domazeti vritet në duart e shtetit”, titullohet raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi për vrasjen e fundit të gruas nga Dragashi. IKD dhe organizata “Clard” kanë thënë se Prokuroria Themelore në Prizren nuk kishte iniciuar ndonjë kërkesë për caktimin e ndonjë urdhri mbrojtës të viktimës, ani pse ishte e njoftuar se e njëjta ishte dhunuar.
Kjo e fundit ishte mbajtur në qilar nga familjarët e saj, ku në konferencën e sotme u tha se është cenuar dinjiteti i 67-vjeçares. Për më tepër, është kërkuar nga kryeprokurori i shtetit të iniciojë procedura disiplinore për të gjithë akterët e përfshirë. Po ashtu, nga Avokati i Popullit është kërkuar që të niset hetim në lidhje me këtë rast.
Arrita Rezniqi nga IKD në një konferencë për media ka thënë se rasti i dhunës në familje ishte raportuar ditë më parë, kur e njëjta nga familjarët ishte lënë jashtë në qilar.
“Ky rast e ka fillimin disa ditë më herët se sa nga data kur është raportuar për vdekjen e të njëjtës. Më saktësisht, në bazë të shkresave që IKD ka siguruar kemi arritur të kuptojmë që ky rast fillimisht është raportuar me datën 8 nëntor dhe për këtë nga policia është adresuar si dhunë në familje. Për shkak se e ndjera është evidentuar që është larguar nga shtëpia dhe është vendosur në një hapësirë jashtë shtëpisë, në oborrin e shtëpisë në qilar, ose shupë që njihet në gjuhë popullore. Duke cenuar kështu skajshmërisht dinjitetin e saj”, ka njoftuar Rezniqi.
Edhe Gzim Shala nga IKD tha se rasti i Samie Domazetit është tipik kur tregon se shteti ka qenë i informuar për rrezikun e viktimës.
“Shteti e ka ditur, ose është dashur ta dijë se Saime Domazeti është në një rrezik për jetën e saj.Për tu konstatuar se në një rast sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kemi të bëjmë me shkelje të së drejtës në jetë, kërkohet që të vërtetohet se autoritetet shtetërore e dinin ose është dashur ta dinin për rrezikun ekzistencial së një qytetari dhe që të kenë kujdes të shtuar për ato veprime të cilat arsyeshëm besohet se do ta parandalonin kryerjen e vrasjes”, ka thënë Shala.
Anton Nrecaj nga organizata CLARD tha se kohëve të fundit në Kosovë janë shënuar raste të rënda të vrasjeve në duart e shtetit.
“Kohët e fundit kemi pasur raste shumë të rënda, të cilat viktimat e dhunës në familje kanë përfunduar me fatalitet, në duart e shtetit. Në duart e institucioneve të shtetit dhe si pasojë ne si organizata në kuadër të projekteve, të cilat mbështetën nga donatorët nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe nga UNMIK-u, ju kemi ftuar për të bërë një reagim bashkë me një analizë të rastit të fundit të zonjës Domazeti, e cila vritet në duart e institucioneve të shtetit”, ka thënë ai.
IKD dhe organizata CLARD kanë kërkuar që Kuvendi të ndajë mjete të mjaftueshme për strehimoret për trajtimin e rasteve kur viktimat kanë probleme me shëndetin mendor.