75 Mall Live Search
00:06 / E Shtunë, 02 Dhjetor 2023 / Gj. Sh

Vrasja e Liridonës, familja Ademaj i jep familjes Murseli dy ditë besë

Detajet e para të natës tragjike së 29 nëntorit ku mbeti e vrarë 33-vjeçarja, Liridona Ademaj Murseli morën kthesë sot kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin dhe Granit Plavën si të dyshuar për vrasjen e saj në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Pak orë para se të arrestohej, Naim Murseli mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Liridonës, ceremoni kjo që u krye në fshatin e tij në Cërmjan.

Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të të njëjtit, sipas raportimeve të Indeksonline familja Ademaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës zhvarrimin e trupit të Liridonës nga aty ku u varros.

Ata duan ta varrosin të bijën në fshatin e tyre në Rracaj.

Ndër tjera, Gazeta Sinjali ka raportuar se familja Ademaj, familjes Murseli i ka dhënë dy ditë besë.

Deri më tani janë arrestuar tre persona në lidhje me këtë ngjarje: Naim Murseli (bashkëshorti i Liridonës), Granit Plava (dorasi), si dhe Kushtrim Kokalla (bashkëpunëtor).