Vrasja e Liridonës/ Kokalla e Plava largohen nga seanca, vëmendja te dëshmia e Naim Murselit
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të dyshuar për planifikimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt. Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, pohoi se avokati i Kokallës kërkoi të ftohet dëshmitari Tafil Kokalla.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinqeviq, ka kundërshtuar kërkesën e avokatëve mbrojtës që të hetohen edhe disa provave shtesë, përfshirë rikonstruimin e vendit të ngjarjes.
Ajo tha se gjykata ka dhënë mundësinë që provat e reja të dorëzohen deri më 9 janar, duke pohuar se është në kundërshtim me afatin ligjor. Ky vlerësim i prokurores u mbështet edhe nga avokati i familjes së Liridonës. Nga ana tjetër, avokatët e Naim Murselit kërkuan edhe një ekzaminim psikologjik të tij, raporton IndeksOnline.
Trupi gjykues, pas këshillimit, vendosi që të refuzojë propozimet e avokatëve të të dyshuarve për plotësimin e provave, ftuarjen e dëshmitarit Kokalla, rikonstruimin e vendit të ngjarjes, si edhe ekspertizën psikologjike të Naim Murselit. Seanca do të vijojë me dëgjimin e dëshmisë së Naim Murselit.
Në seancën fillestare të mbajtur, më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Ndërkaq, Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Kujtojmë se Liridona Ademaj u privua nga jeta, më 29 nëntor të 2023-tës./IndeksOnline/

