Vrasja e Nehat Sahitit te ‘kafet e vogla’, pas gjashtë viteve bëhet rikonstruksioni i vendit të krimit (Video/foto)

Gjashtë vjet pasi ka ndodhur vrasja e Nehat Sahitit dhe plagosjen e Rijada Currit, në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, organet e drejtësisë kanë urdhëruar të bëhet rikonstruksioni i vendit të ngjarjes.
Forca të shumta të policisë dhe zyrtarë të organeve të hetuesisë dhe drejtësisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin.
Rruga “Fehmi Agani” është bllokuar për qarkullimin e automjeteve ndërsa e gjithë zona është sinjalizuar me shirita të sigurisë.

IndeksOnline kishte raportuar ekskluzivisht për këtë krim duke publikuar edhe video nga momenti i krimit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.
Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të pandehurit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehat e Behar Sahiti, derisa Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast, nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.