Vrasja e policit në Zllatar: 6 policë të arrestuar, 9 të suspenduar

Inspektoriati Policor i Kosovës, përmes një komunikate për media, ka ndarë detaje të reja lidhur me vrasjen e mbrëmshme në Zllatar.
Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare.
Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar.
IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.