75 Mall Live Search
14:49 / E Mërkurë, 02 Prill 2025 / k.v

Vrasja e rreshterit Muhamed Lika – Kryeprokurori Çerkini: Autorët janë dy persona, hetimet intensive në vazhdim

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka konfirmuar se vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, është kryer nga dy persona ende të paidentifikuar, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas aktit, transmeton IndeksOnline.

Sipas Çerkinit, viktima ishte duke u kthyer nga puna dhe u sulmua në momentin kur po hynte në banesën e tij, në shkallët e ndërtesës. Për pasojë, ai humbi jetën si rezultat i plagëve të marra nga të shtënat.

Autoritetet kanë nisur hetime intensive që nga momenti i vrasjes, me bashkëpunimin e prokurorit Ismet Rrahmani, i cili ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me hetuesit. Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë, po kryen një punë të jashtëzakonshme për të zbuluar autorët dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike.

“Hetuesit policorë janë në terren që nga mbrëmë, duke analizuar çdo informacion, provë dhe dëshmi që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit. Deri më tani janë intervistuar shumë dëshmitarë dhe janë ndërmarrë veprime të rëndësishme për sigurimin e provave materiale,” tha Çerkini.

Prokurori kujdestar në Ferizaj ka qenë në vendin e ngjarjes që nga momenti i vrasjes, duke mbikëqyrur nga afër të gjitha veprimet hetimore.

Vrasja e rreshterit Muhamed Lika ka tronditur opinionin publik, pasi ai ishte në shërbim aktiv dhe kishte dhënë një kontribut të madh në Policinë e Kosovës. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka vlerësuar lart angazhimin dhe përkushtimin e tij në kryerjen e detyrës zyrtare, duke theksuar se kjo humbje është e madhe jo vetëm për Policinë, por edhe për sistemin e drejtësisë në vend./IndeksOnline/