75 Mall Live Search
09:00 / E Mërkurë, 02 Prill 2025 / k.v

Vrasja e rreshterit Muhamet Lika e çon në 24 numrin e policëve të vrarë që nga 2001-a

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra mbrëmë në hyrje të banesës së tij në Kaçanik. 

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. 

“Më 01.04.2025, rreth orës 23:00, kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën ‘Idriz Seferi’ në Kaçanik. Viktima është një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik”, ka deklaruar Veseli. 

Sipas tij, ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa i dyshuari mbetet në arrati. Policia po vijon intensivisht kërkimet për kapjen e tij. 

Me këtë rast tragjik, numri i policëve të vrarë që nga shtatori i vitit 2001 ka arritur në 24, duke thelluar edhe më tej shqetësimin për sigurinë e zyrtarëve të rendit./IndeksOnline/