Vrasja e të riut në Gjilan, dëshmitari tregon para gjykatës çfarë i kërkoi i dyshuari pak para rastit tragjik

Në Gjykatën Themelore në Gjilan po zhvillohet seanca gjyqësore lidhur me rastin e vrasjes së Sokol Osmanit, i cili u vra në mënyrë tinëzare në nëntor të vitit 2024 në qytetin e Gjilanit.
Lidhur me këtë rast, në seancë ka rrëfyer rreth këtij rasti dëshmitari i rastit, Adem Bajrami, nga nacionaliteti rom. Aktualisht, në paraburgim ndodhen dy persona të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje tragjike Valmir Salihu dhe Florian Mitev.
Ai gjatë seancë u pyet rreth bicikletës të cilen Valmiri e shfrytëzoi për këtë akt. “Unë i njoh dy të dyshuarit në këtë rast, personin në anën e djathtë e kam në lagjen ku jetoj. Ndërsa personin nga ana e majtë e njoh pasi ka lëvizur disa herë në lagjen tonë”, ka deklaruar Bajrami.
“Salihun e njoh përafërsisht 3-4 vjet. Kjo ka qenë më herët, jemi takuar në rrugë, kemi pasur pak probleme. Dhe më ka sugjeruar që mos të ngatërrohem më me të, pasi që na jemi rom, ndërsa ne jemi pakicë, ata si shqiptarë janë shumicë” tha ai.
Ai është pyetur edhe për ditën kritike kur edhe ndodhi vrasja e Sokol Osmanit. Ai iu është përgjigjur pyetjeve të prokurores së rastit. “E kam parë pasi jetojmë në lagjen e njëjtë. Edhe kur ka ardhur policia e kam parë. Disa ditë më parë, para ngjarjes, ka ardhur tek unë dhe ka kërkuar karrige që ju kanë shërbyer për të luajtur me letra, kurse ditën kritike ka kërkuar një biçikletë nga unë. Biçikletë nuk i kam dhënë pasi s’kam pasur, pastaj e ka kërkuar një motor nga një fqinje tjetër,” shtoi ai.
Tutje, me pyetje ka vazhduar avokati mbrojtës i familjes Osmani. “Fillimisht për rastin e kam kuptuar kur i kam parë policinë, shumë policë në lagjen tonë. Ndërsa rastin për vrasjen e kam kuptuar në media”, shtoi ai. Seanca po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit Afrim Kurdiu, shok i të ndjerit./IndeksOnline/