75 Mall Live Search
15:24 / E Premte, 05 Maj 2023 / k.v

Vrasja e trefishtë në Gllogjan/ Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj këtyre tre personave (Video)

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur sot aktakuzë ndaj tre personave për njërën nga vrasjet më tronditëse të ndodhura në Kosovë, ku në pasditën e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit ishin vrarë në autobus shoferi Gani Gjoka dhe nxënësit Ledion Hamzaj e Gentiana Mustafaj.

Prokurorja Sahide Gashi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Pejë, në një konferencë për media ka deklaruar se pas 1 viti e gjysmë hetime intensive sot është ngritur aktakuza ndaj Kastriot e Kreshnik Mehmetaj për vrasje të rëndë ndërsa ndaj Halil Mehmetajt për shtytje në vrasje të rëndë.

Kurse nga hetimet është arritur të sigurohet se i dyshuari tjetër Malsor Mehmetaj të lirohet nga aktakuza pasi që nuk është siguruar provë për përfshirjen e tij në krim.

Prokurorja Gashi ka falënderuar familjarët e viktimave për bahskëpunimin dhe besimin ndaj prokurorisë.

Si kishte ndodhur vrasja?

Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit 2021, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës. Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla. Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan. Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit. “I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte thënë për REL, prokurorja e rastit, Sahide Gashi. Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin. Një tjetër i dyshuar për këtë rast është arrestuar në shkurt të këtij viti, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë. Për motivin nuk është dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur disa herë si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para tri vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin e autobusit. Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.