10:25 / E Martë, 27 Tetor 2020

Vrasja e Ukë Bytyçit, Hoti: Akt i tmerrshëm, goditje e rëndë për familjet e të rënëve, për LDK-në…!

Kryeministri i Republikës, Avdullah Hoti, ka kujtuar Ukë Bytyçin, me rastin e 18-vjetorit të vrasjes së tij.

Sipas tij, ky ishte një akt i tmerrshëm dhe një goditje e rëndë për familjet e të rënëve, për LDK-në, për Komunën e Therandës dhe për mbarë Kosovën.

“… e cila po përpiqej t’i vinte themelet e një shteti të konsoliduar e demokratik sipas shëmbëllimit të demokracisë së mirëfilltë euroatlantike”, ka shkruar ai.

Postim i plotë:

Tetëmbëdhjetë vjet më parë, me anë të votës së lirë, qytetarët e Therandës në mënyrë bindëse ia besuan Ukë Bytyçit udhëheqjen e kësaj komune.

Qytetarët e Therandës e vërtetuan sërishmi paktin e mirëbesimit me Ukë Bytyçin, me njeriun që u kishte qëndruar pranë dhe që u kishte prirë edhe gjatë rezistencës paqësore, edhe gjatë luftës së armatosur për liri. Mirëpo, fitorja madhështore e LDK-së dhe e Ukë Bytyçit në zgjedhjet e lira i tërboi kundërshtarët e lirisë dhe të demokracisë në Kosovë, të cilët e ekzekutuan Ukën dhe dy shoqëruesit e tij, Bafti Bajrami dhe Bajram Bytyçi.

Ky akt i tmerrshëm ishte një goditje e rëndë për familjet e të rënëve, për LDK-në, për Komunën e Therandës dhe për mbarë Kosovën, e cila po përpiqej t’i vinte themelet e një shteti të konsoliduar e demokratik sipas shëmbëllimit të demokracisë së mirëfilltë euroatlantike.

Vrasja e Ukë Bytyçit, sikurse shumë vrasje të tjera politike në Kosovë, ishte sulm i drejtpërdrejtë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kundër të ardhmes së Kosovës. Planifikuesit dhe ekzekutorët e këtyre akteve të liga qëlluan mbi njerëzit më të devotshëm të vendit, mbi veprimtarët dhe prijësit e shquar të rezistencës paqësore dhe të luftës sonë për liri, mbi deputetë, kryetarë komunash e kryetarë të degëve të LDK-së, si dhe mbi bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe këshilltarët e presidentit Rugova. Enver Maloku, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Smajl Hajdari, Ukë Bytyçi, Tahir Zemaj, Ekrem Rexha – Drini, Xhemajl Mustafa e shumë personalitete të tjera të nderuara të vendit u vranë vetëm pse i qëndruan besnikë të palëkundur kauzës së lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, në krye të së cilës ishte arkitekti i shtetit tonë, presidenti Ibrahim Rugova.

Për veprën e tij të madhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Presidenti Rugova e dekoroi Ukë Bytyçin me Medaljen e Artë të Pavarësisë.

Si emri i kësaj medaljeje, i artë ishte Uka ynë, njeri, prind, qytetar dhe prijës shembullor!

I bekuar qoftë përherë kujtimi për Ukë Bytyçin!

I bekuar qoftë përherë kujtimi për ata që punuan dhe u flijuan për atdheun tonë të dashur, Republikën e Kosovës!