75 Mall Live Search
14:13 / E Premte, 17 Janar 2025 / Z S

Vrasja e Valmir Breznicës, gruaja e viktimës përballet me pyetjet për pamjet e publikuara nga IndeksOnline

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin e Krimeve të Rënda, është duke u zhvilluar seanca e radhës për rastin e vrasjes së Valmir Breznicës në Podujevë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në shtator të vitit 2023 në marketin Interex dhe videopamjet e momentit të vrasjes u publikuan nga IndeksOnline.

Në këtë seancë, bashkëshortja e viktimës, Lirie Sylejmani, vazhdoi dëshminë e saj duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Besnik Berisha.

Avokati u përqendrua në rolin e pamjeve të sigurisë në formimin e deklaratës së dëshmitares, duke pyetur nëse deklaratat e saj bazohen në ato incizime.

“Deklaratën tuaj e keni formuar pasi i keni parë pamjet e kamerave të sigurisë?” pyeti avokati Berisha.

“Jo jam bazuar në pamjet që më ka përcjellur gjykata”, u përgjigj Sylejmani

Tutje, Berisha e pyeti nëse ajo kishte përdorur pamjet e publikuara nga IndeksOnline si burim, por dëshmitarja sqaroi se materialet që kishte parë i ishin dërguar nga gjykata.

“Unë bazohem te pamjet e siguruara nga gjykata, jo nga mediat,” theksoi Sylejmani.

Avokati Berisha vazhdoi pyetjet mbi bashkëpunimin dhe njohjen mes të pandehurve.

Dëshmitarja mohoi të kishte parë ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë mes të akuzuarve, por sugjeroi se bashkëpunimi i tyre ishte i dukshëm në incizimet e sigurisë, duke shtuar: “Pyetjet që po më bëni janë pa sens.”

Besnik Berisha, avokat i të pandehurit, ka vazhduar me pyetjet për Sylejmanin.

‘’Ju keni deklaruar se personi që ka shtënë i ka pasur dy armë. Ju nuk e dini se ku i ka siguruar dhe kush ia ka siguruar?, pyeti Berisha.

‘’Jo’’ u përgjigj Sylejmani

‘’Dëshmitare, ju nuk e dini nëse Lordi Syla e ka njohur fizikisht apo jo para pikës fizike. Po ju lus që të kemi një hapësirë, gjykata nuk duhet ta ketë problem të pyes për gjëra që i ka thënë dëshmitarja. Kërkesa e trupit gjykues në këtë pikë ishte që avokati Berisha të jetë më i kujdesshëm me pyetjet’’ pyeti përsëri Berisha.

‘’Përderisa ka ardhur e ka vrarë para syve të mi, logjikisht e ka njohur’’ vazhdoi ajo me përgjigje.

‘’E drejtë e imja është të pyes, e ju të përgjigjeni” theksoi Berisha.

”Përderisa ai ka ardhur direkt te ne, mendoj se e ka njohur Valmirin. Djali im 4-vjeçar ka pësuar trauma’’, pohoi Sylejmani.

‘’Ditën kritike keni deklaruar se nuk e keni parë as Arsimin e as Lordin”, pyeti Berisha.

”Jo, nuk është e vërtetë. Deklarimin e parë kur e kam dhënë nuk ka pasur kamera.

Besnik Berisha: ”Konkluzionin tuaj e keni dhënë pasi i keni parë kamerat?’’

‘’Po, është e saktë’’, theksoi Sylejmani.

‘’Ju nuk keni asnjë informacion se pse Lordi Syla ka vendosur të privojë nga jeta në Interex në atë mënyrë’’

‘’E saktë’’

‘’Në shqyrtimin e kaluar ju keni deklaruar se nuk keni parë asnjë korrespondencë, SMS, Facebook, Instagram mes Lordi Syla, Arsim Syla apo kujtdo të familjes së tyre ku është diskutuar vrasja e bashkëshortit tuaj. E saktë?’’

‘’Unë nuk kam parë asgjë, por shihet bashkëpunimi i tyre në video incizime. Unë nuk e kam parë Arsimin, derisa e kam parë këtu në seancë. Pyetjet që po m’i bëni janë pa sens’’

Valmir Breznica u privua nga jeta në shtator të vitit 2023. Ngjarja ndodhi në një market në komunën e Podujevës. Në paraburgim po mbahet babai i të miturit, Arsim Syla. /IndeksOnline/