Vrasja e Xhevdetit u krye me pistoletë, policia gjeti 10 gëzhoja në vendin e krimit- zbardhen detajet e fundit

Xhevdet Millaku, 60-vjeç u vra mbrëmë me armë zjarri nga kunata e tij, Nazime Millaku, 55-vjeçe në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, transmeton IndeksOnline.
Krimi në familje, për motive ende të panjohura ndodhi rreth orës 19:00 ku menjëherë u alarmua policia me te gjitha njësitet përkatëse.
E dyshuara pasi kreu krimin është vetëdorëzuar tek organet e rendit, ndërsa e njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes, transmeton IndeksOnline.
Në vendin e ngjarjes hetuesit policorë gjeten 10 gëzhoja të pistoletës dhe katër predha.
Policia në raportin 24-orësh ka dhënë edhe disa detaje të reja përkitazi me rastin që ka tronditur banorët e kryeqytetit.
“Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Rasti është duke u hetuar intensivisht nga policia rajonale e Prishtinës për të zbardhur të gjitha rrethanat që kanë çuar te vrasja./IndeksOnline/
