11:40 / E Mërkurë, 03 Janar 2024 / L K

Vrasja e zëvendësshefit të Hamasit rrezikon të zgjerojë luftën

Izraeli vrau Saleh al-Arourin, zëvendëslider i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – përmes një sulmi me dron në kryeqytetin libanez, Bejrut më 2 janar, thanë burimet libaneze dhe palestineze. Vrasja e numrit dy të Hamasit rrit rrezikun se lufta në Gazë mund të përhapet përtej enklavës palestineze.

Arouri, 57 vjeç, ishte udhëheqësi i parë i lartë politik i Hamasit që është vrarë që kur Izraeli nisi sulmet ajrore dhe tokësore kundër grupit radikal palestinez tre muaj më parë, pasi Hamasi kreu një sulm të befasishëm në jug të Izraelit më 7 tetor.

Grupi i armatosur rëndë në Liban, Hezbollah – aleat i Hamasit – që nga nisja e luftës në Gazë ka këmbyer zjarr në baza ditore me trupat izraelite përgjatë kufirit jugor të Libanit.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, e ka paralajmëruar Izraelin kundër çdo vrasjeje në tokën libaneze, duke u zotuar për “reagim të rëndë”.

Fotografi e publikuar nga ushtria izraelite më 1 janar, që shfaq ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës.

Hezbollahu tha të martën se ka shënjestruar me raketa një grup të ushtarëve izraelitë në afërsi të Marjit. Sulmi, sipas Hezbollahut, ndodhi pas vrasjes së Arourit.

Për një kohë të gjatë, Izraeli kishte akuzuar Arourin për sulme vdekjeprurëse ndaj qytetarëve të tij, por një zyrtar i Hamasit ka deklaruar se ai ishte po ashtu “në zemër të negociatave” të zhvilluara nga Katari dhe Egjipti lidhur me luftën në Gazë dhe për lirimin e pengjeve izraelite që mbahen nga Hamasi.

Izraeli as nuk e ka konfirmuar e as mohuar se ka vrarë udhëheqësin e grupit radikal palestinez, por zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha se forcat izraelite janë në gatishmëri të lartë dhe të përgatitur për çfarëdo skenari.

“Gjëja e rëndësishme që duhet thënë sonte është se ne jemi të përqendruar dhe vazhdojmë të jemi të përqendruar në luftën kundër Hamasit”, tha ai kur u pyet nga gazetarët lidhur me vrasjen e Arourit./rel/