Vrasja makabre e të riut në Ferizaj nga kushëriri, prokuroria ngritë aktakuzë ndaj të dyshuarit

Vrasja mizore e Bekim Varit nga Ferizaj pati tronditur opinionin publik.
27-vjeçari, i cili ishte raportuar si i zhdukur nga familjarët më 29 janar, u gjet i pajetë më 5 shkurt nga familjarët në një zonë malore të fshatit Manastirc të Komunës së Ferizajt.
Trupi i viktimës u gjet në gjendje të rëndë, nga familjarët.
I dyshuari kryesor për vrasjen e Varit është Leutrim Fejza, 27-vjeçar nga fshati Pleshinë e Ulët i Ferizajt.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 23 janar 2025, në orët e pasdites, në malet e fshatit Manastirc, i pandehuri Leutrim Fejza e ka privuar nga jeta, Bekim Varin në mënyrë mizore dhe më pas ka groposur trupin për të zhdukur gjurmët. Ai më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, duke tentuar të fshehë krimin.
Bazuar në këto prova, ai po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Burime të IndeksOnline, patën bërë me dije se telefoni i të dyshuarit është dërguar jashtë vendit për ekzaminim, ndërkohë që janë intervistuar edhe persona të tjerë në lidhje me rastin.
Hetimet po vazhdojnë me intensitet për të zbardhur tërësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila ka lënë të tronditur familjarët dhe të gjithë rrethin.
(Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm, deri në një vendim të gjykatës). /IndeksOnline/