Vrasja me thikë e Auronit, prokuroria jep detajet e fundit për krimin

Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njofton se prokurorja kujdestare dje në mbrëmje nga Policia e Kosovës është njoftuar se në rrugën “Tirana” në Prishtinë ka ndodhur një therje me thikë ku Auron Myftari ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes.
Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policorë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t’iu bërë Autopsia.
Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasje e rëndë” si dhe veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një person.
Motivet dhe rrethanat e tjera për momentin janë të panjohura por ato do të kuptohen gjatë hetimeve të cilat do të zhvillohen nga kjo prokurori.
Brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të paraqes pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin për këtë rast.