75 Mall Live Search
17:11 / E Enjte, 02 Maj 2019 / indeksADMonline

Vrasja mes kushërinjve në Viti, pesë persona dyshohet se u përfshinë në rrahje

Prokuroria Themelore në Gjilan përmes një komunikate për media ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen që ndodhi mëngjesin e sotëm në Komunën e Vitisë, ku me ç’rast njofton se janë arrestuar pesë persona të dyshuar si “pjesmarrës në rrahje”.

“Më 2 maj 2019, rreth orës 09:30 minuta,  në fshatin Sodovinë e Qerkezve, komuna Viti, si pasojë e një rrahje mes dy familjeve, në të cilën janë përdorur mjete të forta, një person është privuar nga jeta, ndërsa disa të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Me të njoftuar me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e Hetimeve Regjionale, të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori kujdestar, të cilët kanë vëzhguar vendin e ngjarjes, ku prokurori i shtetit ka kërkuar që trupi i pa jetë i viktimës, të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.

Për këtë rast, janë arrestuar 5 (pesë) persona, të dyshuarit B.I. dhe F.I., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Vrasje’’, ndërsa të dyshuarit I.I., I.I. dhe S.I., për shkak të veprës penale ‘’Pjesëmarrje në rrahje’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku për të njëjtit është lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Viktima e rastit M.I. (1960), është i afërm i të dyshuarve – kushëri i tyre, me ç’rast dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor.

Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarve do të ndërmerrë të gjitha veprimet e tjera hetimore”./Indeksonline/