75 Mall Live Search
11:31 / E Diele, 28 Shtator 2025 / Burim

Vrasja misterioze e biznesmenit italian në Tepelenë, identifikohet autori i dyshuar i krimit

Zbardhen detaje të reja  lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Salari të Tepelenës, ku mbeti i vrarë biznesmeni italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç.

Burime për News24 bëjnë me dije se policia ka identifikuar autorin e dyshuar, i cili mësohet se është një shtetas nga Vlora.

Sipas të njëjtave burime, forcat e policisë kanë nisur një aksion për kapjen e tij, ndërkohë që janë rikthyer sërish në vendngjarje për të kryer verifikime të mëtejshme. Dyshohet se biznesmeni talian u qëllua nga një person i tretë.

Ngjarja ndodhi pas mesnatës së të premtes, në një zonë të quajtur “Dilan”, midis fshatrave Nivicë dhe Salari. Trupi i pajetë i Edoardo Sarchit u gjet me një plumb në kokë, ndërsa ai thuhej se ndodhej për gjah së bashku me katër persona të tjerë.

Mes tyre ishte ortaku i tij në biznes, Eqrem Braçi, si dhe dy djemtë e këtij të fundit, Gazmenti dhe Danieli.

Të tre u shoqëruan nga policia për të dhënë dëshmitë por u liruan disa orë më vonë. Burime jozyrtare bënë me dije se mungesa e provave çoi në vendimin për lirimin e tyre.

Sipas të njëjtave burime, dyshohet se është një person i jashtëm ai që ka qëlluar në drejtim të dy automjeteve, duke shkaktuar vrasjen. Ky person mbetet ende në kërkim nga policia.