Vrasja në Athinë, dalin identitetet e viktimave

Kreshnik Çerçizaj 41 vjeç nga Vlora dhe dhe Armando Organja, 44 vjeç nga Berati janë dy shqiptarët e ekzekutuar mbrëmjen së dielës në një lokal në zonën e Nea Smyrni në Athinë.
Ata rezultojnë persona me një aktivitet të njohur kriminal në fushën e narkotikëve, grabitjes dhe armëmbajtje pa leje.
Mediat greke raportojnë se 41-vjeçari Çerçizaj që humbi jetën në vend pasi mori dy plumba në kokë dhe që dyshohet se ka qenë objektiv i këtij atentati, ishte një person që kërkohej nga policia për drogë dhe grabitje. Ai gjithashtu njihej edhe me nofkën “koleksionisti” për shkak se ofronte mbrojtje ndaj restoranteve dhe klubeve të natës në zone, ndërsa më parë ka qenë i dënuar edhe në Shqipëri për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.
Viktima e tjetër, 44-vjeçar Organja, i cili humbi jetën në spital pasi mori dy plumba në gjoks dhe bark, kërkohej nga policia gjithashtu për drogë, shkruan Klan TV.
Nga hetimet rezulton se autori i cili nga mënyra e të vepruarit dyshohet se është një vrasës profesionist, ka qëlluar 7 herë brenda 4 sekondave ndaj dy shqiptarëve, ndërsa u largua me shpejtësi në këmbë duke humbur çdo gjurmë.
Siç shihet edhe në pamje, i veshur me të zeza dhe me një kapuc në kokë, ai mbante edhe një maskë kirurgjikale në fytyrë dhe sapo është afruar në tavolinën ku qëndronin dy shqiptarët, nxjerr pistoletën me dorën e djathtë dhe qëllon deri në eliminimin e objektivit.
Si pasojë e të shtënave mbeti e plagosur edhe një grua greke 35-vjeçare që ishte ulur në një tavolinë ngjitur, ndërkohë që një qytetar tjetër mori lëndime në përpjekje për t’u larguar.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë në bizneset ngjitur policia ka zbuluar se autori ka qendruar i fshehur në një lulishte aty pranë dhe ka pritur momentin për të kryer atentatin.
Nisur nga aktiviteti i errët i viktimave, hetuesit grekë dyshojnë se mund të kemi të bëjmë me një larje hesapesh mes grupeve.