Vrasja në Gjakovë: Gëzhoja dhe arm*ë në vendin e ngjarjes, i dyshuari i njohur për policinë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Gjakovën, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”.
Pak minuta më parë, policia e Gjakovës mbajti një konferencë për media për të dhënë detajet e fundit lidhur me ngjarjen tragjike, shkruan IndeksOnline.
Sipas zëdhënësit të policisë për këtë rajon, Sheremet Elezaj, aktualisht po merren masa për lokalizimin e personit të dyshuar, i cili gjendet në arrati.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja, si edhe një armë e ftohtë. Kjo është e gjitha që mund të ndajmë tani me publikun, pasi jemi ende në fazën fillestare të hetimeve. Jemi duke mbledhur dëshmi dhe po i verifikojmë ato”, tha Elezaj, transmeton IndeksOnline.
Ai shtoi se dorasi është i njohur për policinë, ndërsa hetimet për të gjithë pjesëmarrësit dhe motivet e ngjarjes vazhdojnë intensivisht./IndeksOnline/

