Vrasja në Shkodër/ Reagon nga spitali “objektivi” Erogen Vaso: Të zbardhet ngjarja

Pas ndërhyrjeve kirurgjikale dhe pasi i është normalizuar gjendja shëndetësore, i plagosuri Erogen Vaso Brajovic ka reaguar për ngjarjen e djeshme.
Ai ka theksuar se nuk ka lidhje me asnjë grup kriminal që përflitet në media, ndërsa kërkon që të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik.
Reagimi i plotë:
Unë, Erogen Millan Vaso (Brajovic), bëj këtë reagim për mediat dhe opinionin publik.
Në këto momente të vështira jo vetëm për mua, i shpreh ngushëllimet e ndjera familjarëve të dy miqve të mi, me të cilët ishim së bashku sot në mëngjes në një kafe në qendër të Shkodrës.
Ata ishin qytetarë model të Shkodrës, familjarë të respektuar nga gjithë komuniteti.
Dora e pabesë e një vrasësi i shkeputi sot nga jeta, ndërkohë që ishim bashkë, dhe për mua personalisht kjo është një dhimbje e rëndë dhe një plagë që nuk mbyllet!
Qoftë paqja me Zotin për Armandon dhe Geridonin! Zoti u dhëntë forcë familjeve të tyre! Gjithashtu i uroj shërim të shpejtë vajzës së plagosur në këtë ngjarje.
Distancohem plotësisht nga informacionet që lidhen me emrin tim dhe me grupe të caktuara në Shkodër.
Jam sipërmarrës në disa biznese, një pjesë të të cilave i kam trashëguar nga babai im, i cili gjithashtu ka qenë sipërmarrës deri në fund të jetës dhe ish-futbollist i Shkodrës dhe i Kombëtares Shqiptare.
Kam qenë, për shkak edhe të traditës familjare, ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë dhe ish-president i klubit të futbollit Terbuni të Pukës.
Familja ime ka pasur një histori persekutimi politik para viteve ’90, por edhe vite më pas, për shkak se ka përfaqësuar komunitetin malazez në Qarkun e Shkodrës.
Për interesat e këtij komuniteti dhe të Shkodrës kam shërbyer me korrektësi disa vite si anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit tim, ashtu sikurse ka shërbyer një prej miqve të mi të afërt që humbi jetën sot.
Jam informuar në spital se autori është ndaluar dhe shpresoj që të zbardhen sa më shpejt motivet e këtij akti të rëndë tragjik!
Sa i përket lidhjeve të tjera që aludohen në media, sqaroj se duhet të lihen institucionet e ligjit të trajtojnë këto çështje./Indeksonline/