17:42 / E Martë, 04 Korrik 2023 / k.v

Vrasja në tregun e Mitrovicës, njëri i dëmtuar thotë që e kanë falur të akuzuarin dhe heq dorë nga dëmshpërblimi

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, i dëmtuari Agim Abdullahu është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, i cili deklaroi se të akuzuarin Shefki Asllani familja e tij e kanë falur për lëndimet që i ishin shkaktuar në ditën kritike dhe se nuk parashtron kërkesë pasurore-juridike.

Asllani po akuzohet se pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut vije deri tek konflikti fizik, ku së pari V.F. tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë, ndërkaq i pandehuri Shefki Asllani nxjerr revolen dhe e godet viktimën i cili ndërron jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Ndërsa, si pasojë e të shtënave të të akuzuarit Asllani janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së martës, Abdullahu ka thënë se familja e të akuzuarit Asllani e kanë dërguar Hoxhën e fshatit Shipol si ndërmjetësues, për të kërkuar falje për rastin që ka ndodhur dhe se këtë kërkimfalje si familje e kanë pranuar.

“Pasi jam dalë prej spitalit, pas dy javë dite qëndrimi a më shumë, Hoxha u ardhë në shtëpi dhe më ka treguar që më ka çuar familja e të akuzuarit, që kanë kërkuar falje që ka ndodhur rasti dhe ka kërku se çfarë mendimi kam. Pasi ka shkuar Hoxha, unë masi kam qenë më i madhi i familjes e kam thirrë mixhën dhe të afërmit e mi dhe i kam tregu rastin qysh është, ardhjen e Hoxhës dhe qëllimin e ardhjes së tij dhe jemi dakorduar si familje pasi që nuk kam pas lëndime serioze, kemi vendos që familjes t’ia falim, sepse me të akuzuarin edhe me viktimën nuk kena pas kurrfarë kontakti, deri në ditën e gjykimit nuk e kam parë kurrë edhe pse i kemi pasur afër fshatrat”, ka thënë Abdullahu.

Kurse, i pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi se a parashtron kërkesë pasurore-juridike, Abdullahu ka mohuar një gjë të tillë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Genc Nixha, Abdullahu ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë deklaratës së fundit që ka dhënë në shqyrtim gjyqësor.

Ai ka thënë se ka vërejtur gërshërë në tokë, në tregun afër fidaneve.

“Kur kam kaluar në tokë, në treg, në tokë ku ka qenë tollovia, afër fidaneve, ku janë shit fidanet”, ka thënë Abdullahu.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të të dëmtuar Agim Fazliu, avokatit Shpëtim Mehmeti, Abdullahu ka thënë se është i sigurt 100% që gërshërët i ka parë në tokë.

Më pas, prokurori Nixha ka ballafaquar Abdullahun me deklaratën e tij sa i përket çështjes së qëndrimit në spital, ku sipas prokurorit ai sot tha që ka qëndruar dy javë në spital, ndërsa sipas fletëlëshimit, Nixha tha se kishte qëndruar vetëm 5 ditë në spital.

Për këtë, Abdullahu ka thënë se e vërteta qëndron ashtu siç është e shkruar në fletëlëshimin e spitalit.

Vërejtje në deklarimet e të dëmtuarit- dëshmitarit Abdullahu, kanë paraqitur prokurori Nixha si dhe avokati Mehmeti, me arsyetimin se në deklarimet e tij ka pasur diskrepancë.

Ndryshe, në seancën e sotme të dëmtuarit Agim Fazliu dhe Lufti Fazliu kanë deklaruar së nuk janë në gjendje të deklarohen lidhur me rastin.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 6 korrik 2023.

Ndyshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), m 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren. Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo gjykatë ka pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi të markës “XDM” dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.

Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.