11:02 / E Mërkurë, 28 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Vrasja në Veternik, hajnat gjuajtën me armë, tre persona në arrati

Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë mbrëmjes së djeshme, katër persona të dyshuar kishin hyrë në shtëpi të një personi për ta vjedhur. Sipas asaj që raporton policia hajnat i kishin drejtuar armën pronarit të shtëpisë.

Pronari i shtëpisë kishte poseduar armë ku kishte qëlluar njërin prej hajnave, ku më pas ai kishte ndërruar jetë.

Më tej policia sqaron se hajnat kishin gjuajtur me armë zjarri në drejtim të pronarit të shtëpisë.

“Viktima mashkull K/Shqiptar, ka informuar se katër persona të dyshuar kishin hyrë brenda shtëpisë së tij, dhe njëri nga ta i ka drejtuar armën viktimës, me ç’rast viktima ka poseduar armë dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit m/sh/k (K.K., viti i lindjes 1976) dhe e ka qëlluar për vdekje. Po ashtu njëri nga të dyshuarit ka shtënë në drejtim të viktimës, mirëpo nuk është goditur”, thuhet në raport.

Më tej policia ka konfirmuar se tre personat e tjerë janë larguar dhe gjenden në arrati.

“Tre të dyshuarit tjerë kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes. Njësit relevante kanë dal në vend të ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar se i dyshuari mashkull K/Shqiptar nuk ka shenja jete. Nga viktima është konfiskuar pistoleta e cila është përdorur në rast. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raporton e Policisë së Kosovës.