75 Mall Live Search
16:28 / E Premte, 18 Korrik 2025 / A. M.

Vrasja për hakmarrje, aktakuzë ndaj policit Ramadani në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor, Festim Ramadani dhe një personi tjetër për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Vrasja e rëndë”, rast ky që ndodhi më 16 gusht 2024, në Ferizaj.

Dosja zbulon se i akuzuari me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes lidhur me disa dyshime brenda familjes, e ka qëlluar me breshëri plumbash viktimën, duke e lënë të vdekur në vend.

Festim Ramadani mbrohet në heshtje për vrasjen e 89 vjeçarit në Ferizaj –  GazetaDemos

“Ekziston dyshimi i bazuar “se i pandehuri F.R., më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e restaurantit “Fron Palace”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, gjatë një ceremonie martesore, me dashje dhe paramendim, me qëllim hakmarrjeje për motive të pretenduara familjare të pabazuara dhe të pakonfirmuara juridikisht, në prani të dhjetëra personave përfshirë të mitur, me armë zyrtare automatike të policisë, me dashje dhe qëllim të privimit nga jeta, me breshëri plumba shtën në drejtim të viktimës S.S., duke e privuar nga jeta, ku, si pasojë e të shtënave është rrezikuar seriozisht edhe siguria e personave tjerë të pranishëm në atë moment, me këtë veprim kreu veprën penale të ”Vrasjes së rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thotë Prokuroria.

Kurse, J.M., akuzohet se me dashje e ka ndihmuar policin në privimin nga jeta të viktimës S.S., ashtu që i pajisur me mjet të forta, ka mbrojtur perimetrin e sulmit dhe ka parandaluar çdo ndërhyrje, në mënyrë që Ramadani të realizonte pa pengesë veprën penale të vrasjes së rëndë.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.