09:48 / E Enjte, 15 Qershor 2023 / k.v

Vrasja që tronditi kryeqytetin ende pa autor të zbuluar (Foto)

Blerim Daci u ekzekutua me kallashnikov në orët e mbrëmjes të së mërkurës në “Rrugën C” në Prishtinë.

Ai u qëllua papritmas rreth orës 20:00 derisa ishte në veturë, e cila kishte targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut, raporton IndeksOnline.

Personi apo personat që kryen krimin janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa të Gjermanisë, e cila u gjet rreth një kilometër larg vendit të krimit, e djegur.

Policia ka nisur hetime intensive për të zbuluar identitetin e të dyshuarit apo dyshuarve mirëpo deri më tani nuk ka informacion për kapjen e tij/tyre.

Pas hetimeve preliminare, Blerim Daci u zbulua se kishte edhe dokumente false të cilat i përdorte, e të cilat ishin me emrin Blerim Shabani.

Forenzika në vendin e ngjarjes

Sipas burimeve të IndeksOnline personi i vrarë te “Rruga C” dyshohet për një vrasje e cila ka ndodhur tek kalaja e Shkupit, disa muaj më parë.

Në raportin e sotëm të policisë thuhet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Prishtinë 14.06.2023 – 20:00. Raportohet se i/të dyshuar deri më tani i pa njohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur se në një veturë me targa të Republikës së Maqedonisë Veriore, është një person, nga mjeku përgjegjës është konstatuar se peroni i cili ishte në veturë është pa shenja jete. Rreth një kilometër nga vendi i ngjarjes është hasur një veturë e djegur me targa të Gjermanisë, me të cilën dyshohet se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e policisë./IndeksOnline/

Vetura e viktimes
Vetura e përdorur në krim