75 Mall Live Search
18:42 / E Mërkurë, 13 Gusht 2025 / S Z

Vrasjet e fundit në Kosovë, Koci: Alarm për shoqërinë, shkak edhe kriza politike

Avokati Arianit Koci ka folur për shkaqet që mund të shkaktojnë vrasjet e fundit që kanë ndodhur në vend.

Në Klan Kosova, ai ka theksuar se njëra prej arsyeve mund të jetë edhe kriza politike, por edhe problemet në sistemin e drejtësisë.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me sistemin e drejtësisë, kjo është një alarm për shoqërinë. Pse po ndodhin këto? Shikojeni ende nuk kemi Kuvend, më 16 gusht 2024 janë shpallur zgjedhjet për një vjet ne ende nuk po mundemi të stabilizohemi në këtë drejtim. Qeveria është në detyrë, nuk kemi kryeprokuror, gjykatat po sulmohen së bashku me prokurorinë po u bëhet presion dhe në të njëjtën kohë ka mes tyre njerëz skajshmërisht jo profesional dhe njerëz më shumë se aq, pra njerëz primitiv”, u shpreh Koci.

Koci ka pohuar se shoqëria kosovare është në një depresion të thellë, duke shtuar se edhe kjo është shkak i rritjes së numrit të vrasjeve bashkë më krizën ekonomike, që sipas tij, ka Kosova.

“Pra, kur ti në sistemin gjyqësor e ke një njeri primitive ai rrezaton negativitet dhe jep një kahje të gabuar. Kemi një krizë të thellë ekonomike, në anën tjetër dalin me shifra dhe thonë se kemi rritje ekonomike. Është një fenomen që është i prekshëm. Cila kompani po funksionon më mirë tash se para disa viteve? Kompani e cila nuk merret me tender një burimor, kompani e cila e ka komplet biznesin të bazuar në ekonomi të tregut”, deklaroi Koci.

I njëjti në fund shtoi: “Bankat kanë filluar shumë më pak të japin kredi, investimet thuajse janë ndalë, nuk mundesh shtetin ta mbash vetëm me ndihma. Për atë punë, shoqëria tani është në një depresion total edhe pak po ndodhin çka mundem me ndodh në të ardhmen”. /Klankosova.tv