Vrasjet e fundit në Kosovë, Policia jep shifra se sa armë janë konfiskuar brenda 6 muajve

Armët pa leje vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për shoqërinë tonë.
Rastet e fundit kanë dëshmuar se armët pa leje shpesh përdoren në incidente të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe tentativa për vrasje.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës del se që nga janari deri në korrik të këtij viti janë konfiskuar 1.039 armë dhe 18 mijë e 606 municione.
‘’Policia e Kosovës, sipas nenit 697 të Kodit penal të Republikës së Kosovës ka konfiskuar 1.039 armë dhe 18 mijë e 606 municione. Gjatë vitit 2024 në po të njëjtën periudhë kohore janë konfiskuar 934 armë dhe 18 mijë e 307 municione’’, thuhet në përgjigjen e PK-së për Indeksonlinen.

Ndërkaq, policia ka bërë të ditur se numri i vrasjeve dhe vrasjeve të rënda deri në fund të korrikut është 8 raste, ndërsa në po të njëjtën periudhë kohore në vitin 2024 numri është 10 raste.

Policia e Kosovës fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe të raportojnë çdo informacion që lidhet me posedimin apo përdorimin e armëve pa leje. Informacionet mund të dërgohen në mënyrë konfidenciale dhe janë thelbësore për parandalimin e krimeve dhe për garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë.
Ndërkohë që në vendin tonë të dielën tre persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Po ashtu një person në Prizren ndërroi jetë si pasojë e therjes me thikë. Rasti i fundit është nga Hajvalia ku një person ndërroi jetë pas të shtënave me armë zjarri si pasojë e një mosmarrëveshjeje në komunikacion./Indeksonline/