Vrasjet që tronditën Elbasanin: Gjykata e Lartë e Shqipërisë i lë në fuqi dënimet për Hoxhën e Halilin

Gjykata e Lartë e Shnqipërisë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për dënimin me burgim përjetë të Xhuliano Hoxhës dhe me 16 vjet burgim për Euglen Halilin lidhur me vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhura 5 vjet më pare.
Dy viktimat ishin shokë me njëri-tjetrin.
Hoxha dhe Halili kishin kërkuar prishje të vendimit në lidhje me dënimet ndaj tyre, por shkalla e tretë e gjyqësorit vendosi ta lërë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm.
Ngjarjet për të cilat ata u shpallën fajtorë tronditën qytetin e Elbasanit. Emiljano Ramazani u vra më 20 korrik 2020, ndërsa Regis Runaj humbi jetën disa ditë më vonë, më 29 korrik 2020, pasi u qëllua me thikë. Trupi i tij u gjet në lagjen “Emin Matraxhiu”, pranë varrezave të qytetit.
Sipas SPAK-ut, organizator i vrasjeve dhe porositës i tyre është Erion Alibej, pas dyshimeve se ishin të përfshirë në ekzekutimin e vëllait dhe xhaxhait në masakrën e Bradasheshit, në 2018-n.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë mbyll përfundimisht procesin gjyqësor për njërën nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në Elbasan në verën e vitit 2020.