75 Mall Live Search
14:49 / E Mërkurë, 23 Dhjetor 2020 / OSH

Vrau aksidentalisht 58 vjeçaren në Podujevë, paraburgim për familjarin

I riu M.ZH 23-vjeçar kishte qëlluar aksidentalisht mbi familjaren e tij  të dielën më armë zjarri në Podujevë, ndërsa pak momente më vonë SH.ZH. 58- vjeçare ka ndërruar jetë nga plagët e marra.

Ndërsa sot Gjykata Themelore e Prishtinës, duke miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore…, ka vendosur që të pandehurit t’i shqiptohet masa prej një muaji paraburgim.

Njoftimi plotë:

Gjykata Themelore e Prishtinës ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.ZH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: “Vrasje nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit M.ZH. gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pasi që ajo ka konstatuar se janë përmbushur kriteret  në bazë të nenit 187 par.1 nën par.1.1 dhe nën par.1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri M.ZH. në liri ekziston rreziku i ikjes së tij, po ashtu mund t’i asgjësojë, fsheh, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale, duke ndikuar në dëshmitarë.

I pandehuri M.ZH. dyshohet se më 20.12.2020 rreth orës 23.30 në Podujevë, nga pakujdesia kishte shkrepur armën e markës “Magnum” dhe në atë moment kishte pësuar lëndime anëtarja e familjes, tani e ndjera SH.ZH., e cila më 21.12.2020 nga plagët e marra kishte ndërruar jetë në QKUK.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.