75 Mall Live Search
11:07 / E Premte, 10 Korrik 2026 / OSH

Vrau gruan në shtëpi për motive xhelozie del fotoja e autorit më çifte në dorë

Xhelozia është pista kryesore ku janë përqendruar hetimet e policisë së Shkodrës për vrasjen e 55-vjeçares Bardhe Ziçi, e cila dyshohet se u ekzekutua me armë gjahu nga bashkëshorti i saj, Shtjefën Ziçi, paraditen e së enjtes.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentet para krimit. Sipas hetimeve, 64-vjeçari i ka kërkuar bashkëshortes telefonin celular, çka ka sjell një debat mes tyre. Pak çaste më vonë, ai është futur në banesë, ka marrë çiften që e posedonte me leje dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të gruas, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Autori i dyshuar nuk është marrë ende në pyetje në mënyrë të plotë, për shkak të gjendjes së tij psikologjike. Ndërkohë, mbrojtja e tij vijon të pretendojë se ngjarja ka qenë aksidentale.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se, menjëherë pas arrestimit, i dyshuari ka shprehur se nuk ishte penduar për atë që kishte ndodhur.

Këto deklarime nuk konsiderohen dëshmi zyrtare, pasi nuk janë dhënë gjatë marrjes në pyetje. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 9 korrikut, në unazën lindore të Shkodrës. Pas debatit në dyqanin ushqimor që administronin pranë banesës, 64-vjeçari dyshohet se mori armën e gjahut dhe qëlloi ndaj bashkëshortes në pragun e shtëpisë.

Sipas hetimeve, 55-vjeçarja tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Çifti ishin prindër të dy fëmijëve. Djali jeton në Kanada, ndërsa vajza shërben si oficere në repartin ushtarak të Vaut të Dejës.

Të afërm dhe banorë të zonës i përshkruajnë si njerëz të qetë, pa konflikte të njohura më parë, ndërsa vrasja ka tronditur opinionin publik.