14:46 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / OSH

Vrau kunatën me të cilën kishte lidhje intime, merret vendimi për Dashamir Xhepën

Prokuroria në Shqipëri, ka kërkuar burg përjetë për Dashamir Xhepën, i akuzuar për vrasjen e kunatës së tij në 14 shkurt të vitit 2019.

Lirie Xhepa ishte e ve prej disa vitesh, pasi i shoqi ishte ndarë nga jeta nga një sëmundje e rëndë dhe kishte krijuar lidhje intime me të akuzuarin.

Lidhje, që ajo ka tentuar disa herë t’i jepte fund, por përmes dhunës dhe kërcënimeve nuk ishte lejuar nga i dyshuari.

Si ndodhi ngjarja

Vrasja e 49- vjeçares Lirie Xhepa, në formën siç e rrëfyen në Polici dhjetëra dëshmitarë, duket si një krim i paralajmëruar.

Ndonëse ajo nuk e kishte adresuar asnjëherë në Polici dhunën dhe kërcënimet që kishte marrë nga kunati i saj Dashamir Xhepa, me të cilin, sipas të gjitha të dhënave kishte një lidhje intime, duket se vazhdimisht ka jetuar me frikë.

E frikësuar nga vëllai i burrit të saj të ndjerë, që vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj saj, por edhe nga djemtë e vetë se mos e merrnin vesh lidhjen e fshehtë.

Madje,ajo ishte ankuar dy herë te një punonjës Policie, duke i thënë se donte t’i jepte fund kësaj lidhjeje, pasi dhunohej sistematikisht nga kunati.

Megjithatë, viktima nuk kishte pranuar që të bënte kallëzim kundër tij, edhe nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, por edhe nga turpi. Banorët e zonës ku ndodhi ngjarja, janë shprehur se të gjithë ishin në dijeni të lidhjes intime. Madje, edhe të dhunës së vazhdueshme që ushtrohej ndaj 49-vjeçares, por askush nuk fliste.