Vrau tre të afërm duke i helmuar me kërpudha, burg përjetë 50-vjeçares

Erin Patterson, 50 vjeçarja protagoniste e një ngjarje që tronditi botën, pasi vrau tre të afërm duke i helmuar me kërpudha në shtëpinë e saj në Australi, është dënuar me burgim të përjetshëm, me të drejtë lirimi me kusht pas 33 vitesh.
Ajo u shpall fajtore në korrik për vrasjen e prindërve të burrit të saj dhe tezes së tij, si dhe për tentativën e vrasjes së xhaxhait të burrit të saj.
“Mungesa juaj e plotë e pendimit e ngul më thellë thikën në plagën e viktimave. Serioziteti i veprimeve tuaja justifikon vendosjen e dënimeve maksimale për krimet tuaja”, tha gjykatësi Christopher Beale i Gjykatës Supreme të Viktorias në Melbourne.
Pas një gjyqi 11-javor, Patterson u dënua në korrik për vrasjen e Don dhe Gail Patterson (prindërve të bashkëshortit të saj), Simon Patterson dhe tezes së tij, Heather Wilkinson. Gjykata gjithashtu e dënoi Patterson për tentativën e vrasjes së bashkëshortit të Heather, Ian Wilkinson.
Ngjarja ndodhi në një darkë familjare në korrik të vitit 2023 në një qytet të vogël rural në Australinë juglindore. Patterson, një grua me pasion për gatimin dhe gjithashtu për rastet e krimit, kishte shërbyer një specialitet anglez, mish viçi Wellington me kërpudha helmuese. Burri i saj e kishte refuzuar ftesën për të marrë pjesë në darkë.