75 Mall Live Search
09:40 / E Hënë, 11 Gusht 2025 / AR

Vriten katër gazetarë në Gaza në një sulm izraelit

Një sulm izraelit në qytetin e Gazas vonë të dielën në mbrëmje vrau shtatë persona, përfshirë të paktën katër gazetarë nga rrjeti i lajmeve Al Jazeera.

Ushtria izraelite tha se shënjestroi dhe vrau korrespondentin e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif – një gazetar i shquar që ka mbuluar gjerësisht luftën nga brenda Gazas – pasi e akuzoi atë për drejtimin e një qelize të Hamasit, një akuzë që Al-Sharif e kishte mohuar më parë, shkruan CNN.

Mohammed Qreiqeh, një gazetar tjetër i Al Jazeera-s në Gaza dhe fotoreporterët Ibrahim al Thaher dhe Mohamed Nofal u vranë gjithashtu në sulm.

“Urdhri për të vrarë Anas al-Sharifin, një nga gazetarët më të guximshëm të Gazas, së bashku me kolegët e tij, është një përpjekje e dëshpëruar për të heshtur zërat përpara pushtimit të Gazas”, tha Al Jazeera në një deklaratë pas sulmit.

Në minutat para se të vritej, Al-Sharif tha në mediat sociale: “Nëse kjo çmenduri nuk mbaron, Gaza do të shndërrohet në rrënoja, zërat e njerëzve të saj do të heshtin, fytyrat e tyre do të fshihen – dhe historia do t’ju kujtojë si dëshmitarë të heshtur të një gjenocidi që zgjodhët të mos e ndaloni”.