75 Mall Live Search
12:20 / E Hënë, 06 Tetor 2025 / Z S

Vritet në Kolumbi shqiptari me dokumente ekuadoriane, arrestohet vrasësi

Një tjetër atentat i kryer nga vrasës me pagesë ndodhi të dielën pasdite në Medellín, Kolumbi.

Ngjarja u regjistrua në një rrugë pranë qendrës tregtare Santa Fe, në lagjen El Poblado, Komuna 14.

Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía, bëri të ditur se viktima ishte një burrë me dokumente identiteti ekuadoriane, por me kombësi shqiptare.

Gjatë sulmit mbeti e plagosur edhe një grua që shoqëronte viktimën. Sipas raportimeve paraprake, viktima është identifikuar si Artur Tuçi, 44 vjeç, i lindur në Shqipëri, por me dokument identiteti ekuadorian.

Ai shtoi se autori i dyshuar, i cili udhëtonte me motoçikletë, u arrestua në komunën Bello, në veri të Luginës së Aburrá-s. Motoçikleta dhe arma e përdorur për vrasjen u sekuestruan nga policia.

“Motivet dhe detajet e ngjarjes janë ende në verifikim si pjesë e hetimeve që po zhvillohen nga autoritetet,” tha Villa Mejía.

Hetimet e organizatës InSight Crime kanë nxjerrë në pah se rrjetet shqiptare luajnë një rol kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë strategjike për operacionet e tyre transatlantike.

Mediat kolumbiane shkruajnë se këto grupe kriminale të Ballkanit, shpesh të njohura si “mafia shqiptare”, funksionojnë në mënyrë të decentralizuar.

“Rrjete si “Kompania Bello” kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës — si disidentët e FARC-ut apo grupet Urabeños në Kolumbi — për të siguruar çmimet më të ulëta me shumicë”, thonë mediat në Kolumbi.

Këto rrjete gjithashtu përdorin kompani fasadë për pastrimin e parave, kryesisht nëpërmjet bizneseve të eksportit dhe importit, veçanërisht në portin strategjik të Guayaquil, në Ekuador./Indeksonline/