75 Mall Live Search
20:24 / E Mërkurë, 03 Shtator 2025 / Z S

Vuçiç ironizon Samitin e Bledit: Këtu në Pekin është Premier League e liderëve, jam me Putin e Xi

Nga Pekini, ku mori pjesë në paradën ushtarake për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk ka lënë pa ironizuar punimet e Samitit Strategjik të Bledit, në Slloveni.

Nga aty kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se Serbia është duke shkuar drejt luftës civile, por Vuçiç tha se shefi i qeverisë së Zagrebit është duke dëmtuar imazhin e Beogradit.

Ai madje e quajti këtë samit, ku mori pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama si të ligëve të ulëta, krahasuar me takimet e nivelit të lartë që zhvilloi në Pekin, me Vladimir Putin, Xi Jinping dhe Robert Fico.

“Unë nuk shkova në Bled, Macut u ftua, me zgjuarsi dhe me të drejtë nuk shkoi. Ata ftuan bllokuesit në Bled, le të flasin me ta. Krahasoni marrëdhënien dhe bisedën me Plenkoviçin dhe nuk e di se kë tjetër me takimet me Xi, Putin, Fico… Është si të krahasoni Premier League dhe ligën e Beogradit. Nëse më bindni se liga konkrete është në një nivel më të lartë, nuk kam problem me këtë. Nëse do të shkoja në Bled, ata do të thoshin se nuk erdha këtu”, tha me ironi Vuçiç.

Presidenti serb më tej shtoi se “nëse Putini do të thoshte diçka të keqe, do të ishte lajmi kryesor për ta” në Europë.

“Mua më intereson vetëm Serbia dhe interesat e Serbisë, nuk më intereson asgjë tjetër. Kjo është ajo që ata nuk mund ta kuptojnë. Ata e dinë se janë të interesuar vetëm për paratë. Për ditë të tëra ata zihen se kush i ka paratë, kush zëvendëson kë… Mendoj se është e rëndësishme të merremi me mënyrën se si Serbia do të ketë gaz, energji elektrike, si do ta përdorë Serbia inteligjencën artificiale, në mënyrë që të mos e humbasim revolucionin pasi ishim prapa botës më parë. Puna ime është të kujdesem për mbrojtjen e vendit, të kujdesem se si do të jetojë populli. Nuk mund të merrem me budallallëqe”, theksoi Vuçiç./Indeksonline/