75 Mall Live Search
14:11 / E Hënë, 01 Shkurt 2021 / Blerim

Vuçiq dhe Macron: Shpresojmë në zgjidhje kompromisi për Kosovën

Në prag të takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se zgjidhja e problemit të Kosovës nuk është çështje e lehtë për Serbinë, por shpreson se në fund të procesit do të arrihet një zgjidhje kompromisi, e cila do të jetë e pranueshme për dyja palët.

“Që të gjithë duhet të bëjmë gjithçka të arrijnë te një zgjidhje kompromisi për të dyja palët. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëgjoja nga Macroni idetë e tij origjinale dhe të përparuara për të arritur pranë marrëveshjes. Do ta prezentoj në mënyrë të sinqertë platformën tonë dhe jam i sigurt se me udhëheqjen e tij ne do të arrijmë rezultate në periudhën e ardhshme”, tha presidenti Vuçiq.

Presidenti serb në profilin e tij në Instagram tha se me homologun e tij francez do të bisedojë për tri tema: zgjidhjen për Kosovën, integrimet evropiane të Serbisë dhe bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.

Takimi pritet të mbahet të hënën (1 shkurt), në Paris.

View this post on Instagram

A post shared by Aleksandar Vučić (@buducnostsrbijeav)

Edhe presidenti Macron gjatë një adresimi para gazetarëve në Paris, ka thënë se në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësishëm që të arrihet një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët.

“Në këtë çështje, të vetmet zgjidhje që çojnë në përpara, janë zgjidhjet për të cilat të dyja palët pajtohen dhe të cilat do të na mundësonin të zgjidhim përfundimisht këtë çështje të rëndësishme që është në zemër të Evropës”, ka thënë Macroni.

Ai u tha gazetarëve se ai gjithashtu do të angazhohej dhe do të siguronte mbështetje për të gjithë ata që janë të interesuar në zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Bisedimet e fundit të tyre, Vuçiq – Macron i kanë pasur në korrik të vitit 2020 kur u mbajt një videosamit për Kosovën dhe Serbinë, i organizuar nga Macroni dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Macroni zhvilloi një vizitë dyditore në Serbi, më 15 korrik 2019./REL